Tirana, Albania

Filtrat Solarë Fizikë dhe Kimikë: Qasja Bashkëkohore në Fotoproteksion dhe Parandalimin e Fotoplakjes

Ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet (UV) mbetet faktori më i rëndësishëm ambiental përgjegjës për fotodëmtimin kronik të lëkurës, fotoplakjen, hiperpigmentimet, imunosupresionin lokal dhe zhvillimin e kancereve kutane. Vlerësohet se mbi 80% e shenjave të plakjes së fytyrës janë pasojë e ekspozimit kronik ndaj diellit dhe jo e plakjes kronologjike. Për këtë arsye, përdorimi i përditshëm i fotoprotektorëve me spektër të gjerë është një komponent thelbësor i dermatologjisë parandaluese dhe estetikës moderne. Megjithëse industria kozmetike ka zhvilluar filtra gjithnjë e më të sofistikuar, debati mbi përdorimin e filtrave fizikë (mineralë) kundrejt atyre kimikë vazhdon të jetë objekt i studimeve shkencore.

Çfarë është SPF nga pikëpamja fiziko-kimike?Sun Protection Factor (SPF) është një indeks laboratorik që mat aftësinë e një produkti për të reduktuar dozën eritematogjene të rrezatimit UVB. Në praktikë kjo do të thotë se, SPF 15 filtron rreth 93% të UVB,  SPF 30 filtron rreth 97%., ndërsa SPF 50 filtron rreth 98%. Është e rëndësishme të theksohet se rritja e SPF nuk është lineare; diferenca midis SPF 30 dhe SPF 50 është vetëm rreth 1% në filtrimin e UVB, por bëhet shumë domethënëse tek pacientët me melasmë, lupus, histori të kancerit të lëkurës, fototipe I–II; trajtime me retinoide ose peeling kimik. Megjithatë, SPF mat vetëm mbrojtjen ndaj UVB.

Një krem cilësor duhet të sigurojë edhe mbrojtje ndaj UVA, të shënuar si “Broad Spectrum”, “UVA Circle”, ose “PA++++”. Dielli emeton rrezatim UVA (320–400 nm), i cili përfaqëson rreth 95% të UV që arrin sipërfaqen tokësore. Depërton deri në dermë dhe shkakton degradim të kolagjenit, aktivizim të metaloproteinazave (MMP), stres oksidativ, plakje të parakohshme, pigmentim të vonshëm.

Ndërsa rrezat UVB (280–320 nm) depërtojnë kryesisht në epidermë dhe shkaktojnë eritemë, djegie, dëmtime direkte të ADN-së, mutacione dhe karcinogjenezë kutane. Por studimet e viteve të fundit tregojnë se edhe drita blu kontribuon në hiperpigmentimin persistent, inflamacionin kronik dhe prodhimin e radikaleve të lira. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tek pacientët me fototipe III–VI. Është melanina ajo që na mbron dhe vepron si një mburojë biologjike kundër rrezatimit  UV.

Megjithëse Fototipi I–II prodhon më shumë feomelaninë (ka efekt mbrojtës më të dobët) dhe Fototipi III–VI prodhon më shumë eumelaninë (më i predispozuar ndaj hiperpigmentimeve post-inflamatore dhe melasmës), duhet theksuar se, përdorimi i SPF nuk është i rezervuar vetëm për individët me lëkurë të çelët.

Një diskutim dhe njëherësh dilemë, kur flitet për të zgjedhur një krem dielli, eshtë formulimi i tij: filtra fizikë apo kimikë…? Filtrat fizikë, të njohur edhe si filtra mineralë, përfshijnë kryesisht oksidin e zinkut dhe dioksidin e titanit.

Tradicionalisht konsiderohej se këta filtra reflektonin rrezet UV. Këta veprojnë si një “mburojë minerale” që redukton energjinë UV para se ajo të arrijë ADN-në qelizore. Ndërsa, filtrat kimikë përfshijnë molekula si avobenzone, octinoxate, oxybenzone, octocrylene, homosalate, ensulizole. Ata funksionojnë duke absorbuar fotonet UV, kaluar në gjendje të eksituar dhe çlirojnë energjinë si nxehtësi. Ky mekanizëm është shumë efikas, por disa molekula mund të degradohen nga drita dhe të kërkojnë stabilizues.

Pse filtrat fizikë konsiderohen zgjedhja më e sigurt? Në dekadën e fundit janë publikuar një sërë studimesh që kanë ndryshuar perceptimin mbi filtrat solarë.

Studimet farmakokinetike të publikuara në JAMA (2019–2020) treguan se disa filtra kimikë, përfshirë oxybenzone, avobenzone, octocrylene dhe ecamsule, mund të absorbohen në qarkullimin sistemik pas përdorimit në kushte normale. Nga ana tjeter, filtrat mineralë kanë incidencë shumë të ulët të dermatitit alergjik, dermatitit fotoalergjik dhe irritimit. Për këtë arsye rekomandohen nga shumica e shoqatave dermatologjike për foshnjat, gratë shtatzëna, pacientët me rosacea, dermatit atopik dhe lëkurat sensitive.

Oksidi i zinkut është një nga filtrat më fotostabilë që ekzistojnë. Ndryshe nga disa filtra kimikë që humbin efikasitet me ekspozimin ndaj UV-së, filtrat mineralë ruajnë stabilitetin për periudha më të gjata. Po gjurma e bardhë? Disavantazhi kryesor i filtrave mineralë mbetet “white cast”. Ky fenomen shkaktohet nga indeksi i lartë i refraksionit të oksidit të zinkut dhe dioksidit të titanit dhe reflektimi i dritës së dukshme. Megjithatë, formulimet moderne me grimca të mikronizuara ose nano të veshura e kanë reduktuar ndjeshëm këtë efekt pa kompromentuar sigurinë. Nga pikëpamja dermatologjike, një gjurmë e lehtë e bardhë është një kompromis estetik i pranueshëm përballë profilit të favorshëm të sigurisë së filtrave mineralë.

Ekspozimi kronik ndaj UV shkakton rritje të humbjes transepidermale të ujit (TEWL), dëmtim të lipideve ndërqelizore, stres oksidativ dhe inflamacion kronik. Rezultati është një barrierë epidermale më e dobët, që favorizon dehidratimin, ndjeshmërinë, inflamacionin dhe plakjen e përshpejtuar. Përdorimi i përditshëm i kremit të diellit ndihmon në ruajtjen e integritetit të barrierës epidermale dhe redukton dëmtimin oksidativ.

Si duhet zgjedhur një krem dielli? Një fotoprotektor cilësor duhet të plotësojë këto kritere: SPF 30 ose 50, mbrojtje Broad Spectrum UVA + UVB), fotostabilitet i lartë, rezistencë ndaj ujit nëse përdoret gjatë aktivitetit fizik, formulë jo komedogjene për lëkurat akneike, filtra mineralë për lëkurat sensitive ose me rosacea dhe prani të antioksidantëve (vitamina C, vitamina E, niacinamide, polifenole) si mbështetje kundër stresit oksidativ.

Sa krem duhet aplikuar?

Efikasiteti i SPF testohet laboratorikisht me një aplikim prej 2 mg/cm² lëkurë. Në praktikë kjo korrespondon me rreth 1–1.25 g për fytyrë dhe qafë, ose rregullin e dy gishtave (two-finger rule), ku produkti shtrihet përgjatë gishtit tregues dhe të mesit. Studimet tregojnë se shumica e njerëzve aplikojnë vetëm 25–50% të sasisë së rekomanduar, duke ulur ndjeshëm mbrojtjen reale.Kur duhet aplikuar? Kremi i diellit duhet aplikuar 15–20 minuta përpara ekspozimit nëse përdoren filtra kimikë. Filtrat mineralë fillojnë të mbrojnë menjëherë pas aplikimit, megjithëse një aplikim paraprak siguron shpërndarje më uniforme. Riaplikimi rekomandohet çdo 2 orë gjatë ekspozimit, menjëherë pas notit, pas djersitjes intensive, pas tharjes me peshqir.

Pse SPF duhet përdorur gjatë gjithë vitit?

UVA mbetet relativisht konstante në të gjitha stinët dhe depërton përmes reve dhe xhamit. Edhe gjatë dimrit ndodh degradimi i kolagjenit, aktivizohen melanocitet, përkeqësohet melasma dhe vazhdon procesi i fotoplakjes. Prandaj, aplikimi i përditshëm i SPF 30 ose 50 duhet të konsiderohet pjesë e rutinës bazë të kujdesit për lëkurën, jo vetëm gjatë verës.